Qeveria shqiptare publikon rregullat e reja për shenjimin e cannabis-it mjekësor
Tjera
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Qeveria shqiptare publikon rregullat e reja për shenjimin e cannabis-it mjekësor
Screenshot-2026-07-22-175719
23/07/2026 - 21:42
Linku u kopjua

Këshilli i Ministrave në Shqipëri përcaktoi sot tarifën dhe procedurat e pagesës së kostos së shenjimit dhe gjurmimit të bimës së Cannabis-it dhe të nënprodukteve dhe produkteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Sipas vendimit, tarifa e shenjimit dhe gjurmimit përfshin: tarifën vjetore për përdorimin e sistemit të gjurmimit; tarifën për shenjimin dhe gjurmimin për çdo bimë të cannabis-it; tarifën për shenjimin dhe gjurmimin për çdo pako.

Këshilli i Ministrave miratoi tarifat përkatëse për zbatimin e sistemit të gjurmimit të farës, të bimës mëmë, të klonit, të fidanit, të bimës, të mbetjeve, të nënproduktit apo të produktit të cannabis-it, si dhe paketimet e tyre në forma të ndryshme të cilët shenjohen me etiketë.

Tarifa vjetore për përdorimin e sistemit të shenjimit dhe të gjurmimit është 7 500 dollarë amerikanë për çdo subjekt të licencuar e të lejuar, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar dhe taksat e tjera të aplikueshme.

Tarifa për shenjimin dhe gjurmimin për çdo klon, fidan, bimë mëmë dhe bimë të rritur cannabis-i është 0.53 dollarë amerikanë, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar dhe taksat e tjera të aplikueshme, sipas kuadrit ligjor në fuqi.

Tarifa për shenjimin dhe gjurmimin për çdo pako, material të ambalazhuar apo kontejnerë është 0.33 dollarë amerikanë, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar dhe taksat e tjera të aplikueshme.

Vendimi parashikon që shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a., duhet të lëshojë faturë për tarifën vjetore të përdorimit të sistemit të gjurmimit për çdo subjekt të licencuar ose të lejuar, përpara aksesit të parë dhe për çdo vit kalendarik pasardhës.

Fatura duhet të përmbajë shumën në dollarë amerikanë dhe shumën ekuivalente të konvertuar në lekë, sipas kursit të ditës së lëshimit të faturës, publikuar nga Banka e Shqipërisë, në datën e lëshimit të saj, si dhe shumën e TVSH-së.

Për çdo porosi në sistemin e gjurmimit në rastet e shenjimit të klonëve, fidanëve, të bimës mëmë dhe të bimëve të rritura, subjekti i licencuar ose i lejuar deklaron sasinë përkatëse.

Në bazë të deklarimit, shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a., lëshon faturën përkatëse, e cila përmban: sasinë e deklaruar; shumën në dollarë amerikanë dhe shumën ekuivalente të konvertuar në lekë, sipas kursit të ditës së lëshimit të faturës, publikuar nga Banka e Shqipërisë; shumën e tatimit mbi vlerën e shtuar të llogaritur në dollarë amerikanë dhe shumën ekuivalente në lekë, sipas kursit të ditës së lëshimit të faturës, publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Për çdo porosi në sistemin e gjurmimit në rastet e shenjimit të pakove, të materialeve të ambalazhuara dhe të kontejnerëve, subjekti i licencuar ose i lejuar deklaron numrin e pakove për shenjim.

Vendimi parashikon që asnjë etiketë ose kod unik i shenjimit nuk aktivizohet për subjektin e licencuar ose të lejuar, në rast se nuk është kryer pagesa e plotë e shumës së përcaktuar në faturën e lëshuar nga shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a.

Porosia e kryer nga subjektet e licencuara ose të lejuara i përket vetëm subjektit porositës dhe është e ndaluar shitja, transferimi, tjetërsimi, dhënia në përdorim apo vënia në dispozicion e saj, në çfarëdo forme për subjekte të tjera.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026