Qeveria merr vendim për shpronësim të disa pronave në veri
Lexohet për: 6 min.
qeveria
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Qeveria e Kosovës ka marrë të premten vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Leposaviq e Zubin Potok, komuna këto në veri të vendit për projekte infrastrukturore.

Ky vendim është marrë në një mbledhje elektronike të Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar: Vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës.”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë çështje.

Shpronësimi i këtyre pronave është parë problematike prej kur ka filluar, në janar të vitit të kaluar.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ketë kujdes me këtë çështje. Për këtë arsyeje, Qeveria e Kosovës e kishte larguar disa herë këtë çështje prej agjendës së saj.

Shpronësimin e këtyre pronave e kishte përmendur edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Muaj më parë diplomati amerikan këtë cështje e kishte ndërlidhur edhe me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, ka thënë Escobar, në intervistën për REL.

Edhe Bashkimi Evropian i kishte ngritur disa shqetësime lidhur me këtë proces.

“Ndërtimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit – ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet. BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t’i përmbahen rreptësisht procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur respektohen plotësisht”, ka thënë Bashkimi Evropian.

Edhe Lista Serbe kishte reaguar ndaj vendimit të ekzekutivit kosovar, duke thënë se “përfaqësuesit e popullit serb e kundërshtojnë këtë vendim”.

“Në emër të popullit serb, i bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të reagojnë urgjentisht dhe të parandalojnë Kurtin të shkaktojë konflikte dhe kaos në veri të Kosovës, sepse ky është qëllim i dukshëm për të, pasi ai publikisht vlerësoi dëshirën e tij për zgjidhjen e problemeve në veri të Kosovës është për të përdorur përvojat kroate që aludojnë për spastrimin etnik të kryer në atë vend në aksionet Blic dhe Stuhi”, thuhet në reagim.

Kundër këtij vendimi kishte dalë edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“Ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Është e papranueshme. Është një prej arsyeve që pasi të shkoj në Kosovë do të shkoj në veri të Kosovës e të flasë më tepër me qytetarët atje. Më pas do ta konfrontoj Qeverinë në Prishtinë me këtë situatë”, tha Cramon në një konferencë për media.

“Është një nga detyrat e mia dhe të them shqetësimet kryesore për momentin. Shohim se stabiliteti në veri, nëse mund ta quajmë stabilitet, është shumë i brishtë. E nuk mund të pranojmë të shtojmë më tepër benzinë në këtë proces”, shtoi ajo.

Në janar të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendime me epilog të ndryshëm në paditë individuale ndaj vendimit preliminar të Qeverisë, të datës 10 Maj 2023, për shpronësim me qëllim të realizimit të “projekteve infrastrukturore me interes publik”, në disa zona në Leposaviq dhe në Zubin Potok.

Në dy raste, gjykata në shkallën e parë aprovoi padinë individuale ose grupore të pronarëve të parcelave, pjesëtarë të komunitetit serb. Aty thuhet se anulohet vendimi preliminar për shpronësim dhe se lënda i kthehet Qeverisë për ri-shqyrtim dhe vendimmarrje të re.

Në tri raste të tjera, Themelorja hodhi poshtë paditë individuale ose grupore të pronarëve ndaj vendimit të njëjtë të Qeverisë.

Veprimet e Qeverisë së Kosovës për shfronësimet në veri ishte kundërshtuar nga serbët lokalë. Ata kishin organizuar edhe protesta për t`i kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës. Sipas tyre, vendimi i Qeverisë për shpronësime nuk ishte në përputhje me ligjet në fuqi.

Më 10 janar të vitit 2023, Qeveria e Kosovës miratoi një vendim preliminar për shpronësimin e tokës në Leposaviq dhe Zubin Potok, me arsyetimin se janë planifikuar “projekte infrastrukturore me interes publik”, por pa specifikuar se për çfarë projektesh bëhet fjalë.

Se sa është sipërfaqja e tokës që është objekt i shpronësimit nuk u bë e ditur publikisht, por ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, kishte treguar për REL se bëhet fjalë për 83 hektarë në atë komunë.

Për komunën e Zubin Potokut dihet vetëm se toka gjendet në zonat kadastrale: Bërnjak, Zubin Potok, Veli Breg, Banjë dhe Jasenovik i Epërm.

Bëhet fjalë për trembëdhjetë parcela që ishin në pronësi private, gjashtë në pronësi shoqërore dhe një është në pronësi të Komunës së Leposaviqit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024