Qeveria me vendim të përhershëm: S’ka pensione nën 100 euro
Lexohet për: 4 min.
3 vite më parë
Linku u kopjua

Qeveria e Kosovës me vendim të përhershëm ka vendosur për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale. Rrjedhimisht, gjitha pensionet në vend nuk do të jenë nën 100 euro. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi vendosi për pagesën e specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar deri më 31 gusht të këtij viti.

Derisa edhe themeluan Njësinë për ekspertizë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe miratuan Projektligjin për pronën publike.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, i bëri të ditura kategoritë që do të kenë rritje të pensioneve.

“Janë pensionet bazike që kishin vlerën 90 euro, pensionet e aftësisë së kufizuar që kanë vlerën 75 euro, pensioni familjar që ka vlerën 90 euro dhe pensioni invalidor i punës që ka vlerën 90 euro. Gjitha këto që në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike kemi aplikuar shtesa për këto lloj kategori pensionesh në mënyrë që mos të jenë nën 100 euro. Siç e kemi premtuar tash e kemi të reflektuar edhe në buxhet se kjo shtesë do të bëhet rritje e përhershme dhe që nga tani e tutje këto lloj kategori pensionesh asnjëra s’do të jetë nën 100 euro”, tha ai.

Duke arsyetuar vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se pagesa e tyre është çështje me prioritet për vendin, pasi edhe ndikon pozitivisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore

“Me qëllim të stimulimit të stafit shëndetësor, ashtu siç e tha edhe kryeministri, sidomos duke marrë parasysh trendin aktual të migrimit të mjekëve tanë dhe pandeminë, ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Në vendimin për themelimin e Njësisë për ekspertizë, kryeministri Albin Kurti tha se e njëjta do të mbështesë iniciativat zhvillimore dhe përshpejtojë reformën në sektorin publik.

“Kjo njësi do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore, do të përshpejtojë reformën në sektorin publik dhe do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona prioritet në vend”, theksoi ai.

I rëndësishëm nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u konsiderua edhe vendimi për miratimin e projektligjit për pronën publike.

“Projektligji për pronën publike ndër të tjera synon të rregulloj çështjet si në vijim: Rregullimin dhe përcaktimin e drejtës pronësore publike dhe të drejtave të tjera pasurore të Kosovës dhe të njësive të vetëqeverisës lokale”, shtoi ajo.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se miratimi i draft-konceptit për inteligjencë dhe siguri do të jetë në funksion të përafrimit të standardeve të NATO-së.

“Agjencia e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe siguri me autorizimet dhe përgjegjësitë të rregulluara qartë me dispozitat ligjore do të kontribuoj edhe në sigurinë e trupave në operacionet e ndryshme gjatë vendit. Kosova është e përcaktuar të bëhet pjesë e NATO-së dhe organizatave të tjera të sigurisë. Në këtë kontekst ky akt do të jetë në funksion të përafrimit të standardeve të NATO-së”, tha ai.

Qeveria në mbledhjen e sotme shfuqizoi edhe vendimet e qeverive të kaluara, të ndërlidhura me Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës.

Ekzekutivi emëroi Leonora Selmani kryetare të komisionit, ndërsa ish kryetarja Minire Begaj u caktua anëtare e komisionit.

Ndërkohë, themeluan edhe Këshillin Kombëtar për ndryshime klimatike.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025