Takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Këshillit Grevist të kryesuar nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Pas këtij takimi i cili zgjati pothuajse dy orë, Jasharaj tha se palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre. Sindikalistët nga kërkesa për 100 euro në muaj deri në miratimin e Ligjit të pagave e qeveria nga 50 euro në muaj deri në fund të këtij viti.
Përveç kryeministrit, Kurti në takimin me Këshillin Grevist ishte prezente edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri Financave, Hekuran Murati.
Megjithatë, ai e konsideroi lajm të mirë fillimin e dialogut në mes të ekzekutivit kosovar dhe grevistëve.
“Për momentin asgjë nuk kemi ndryshime, qeveria qëndron në deklarata që veç i dini lidhur me pakon, ne qëndrojmë si zë i sektorit publik me kërkesat tona... temë e nxehtë ishte edhe pakoja ata e kanë dhënë pa diskutim me ne por ne insistuam që kjo shuma e përmendur që nuk është pranuar nga asnjë grevistë në Republikën e Kosovës të lëvizë. Ne ishim të gatshëm të bëjmë edhe këtu një kompromis të vogël për hir të situatës. Por, qeveria mbeti tek ajo shuma e proklamuar në pakon dhe po them në këtë situatë nuk ka arritje, por e mira e kësaj është se uroj që filloi dialogu, uroj që kryeministri Kurti dhe të tjerët të mos t’i mbyllin dyert dhe të vazhdojmë me dialogun, mbase duke dëshiruar dhe uruar që gjendja të stabilizohet besoj që kryeministri me stafin e tij do të diskutojnë pas takimit me ne do të analizojnë sepse është në dorën e tyre se çka do të ndodh tutje”, theksoi Jasharaj.
“Ajo që e di dhe i thamë edhe kryeministrit është se atë 50% e pakos ata e kanë refuzuar dhe kjo nënkupton se për momentin situatën e kemi të njëjtë... Jo të ulemi në dialog ne mund 1 javë të qëndrojmë në qeveri, ose ata të vijnë në SBASHK apo BSPK por nëse nuk lëvizë qeveria në kërkesat tona, dialogu quhet i thatë, pa rezultate... Asgjë e re nuk ndodhi. Asnjë lëvizje që do të na ndihmonte në kalim të kësaj situate dhe po them që anëtarësia tash për momentin edhe njëherë do t’i thotë jo pakos edhe njëherë do t’u thotë jo këtyre gjërave. E lutëm shumë kryeministrin, ministrin Murati bashkë me Ngavcin që ata të bëjnë një veprim konkret. Të angazhohen, ka mundësi dhe buxhet, jemi të sigurt që ata të ofrojnë një lëvizje të re në mënyrë ta tejkalojmë këtë situatë“, u shpreh ai.
Sipas Jasharajt, arsyetimi i qeverisë për mosrealizimin e kërkesave të greviste ishte se kanë realizuar tashmë pakon dhe se vendin e pret një dimër i vështirë.
Kur u pyet se a pati ndonjë rast kur kryeministri, Albin Kurti lëshoi pe, Jasharaj u përgjigj shkurt “Jo”.
Nga 25 gushti administrata publike në vend është në grevë. Nga 1 shtatori as mësimi nuk ka filluar në Kosovë. Grevistët po kërkojnë përfshirje në konsultime për Ligjin e Pagave, por kërkesë kyçe kanë 100 euro deri në zbatim të Ligjit të pagave. Grevat në arsim kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha edhe tek prindërit./B.Ibishi/