Një nga objektet monumentale të Komunës së Shtimes, "Shtëpia e Përshpirtshme" apo e njohur si Qendra Rinore po i rikthehet e plotë, meritore e moderne rinisë, kulturës lokale, talentëve e sportistëve.
Kështu ka njoftuar kryetari i kësaj komune Qemajl Aliu duke thënë se kjo qendër do të transformohet në një hapësirë moderne.
Sipas kryetarit Qemajl Aliu, përfitimet dhe aspektet e këtij projekti përfshijnë ambiente bashkëkohore për rininë ku do të kenë vend të përshtatshëm dhe të sigurt për zhvillimin e aktiviteteve të tyre edukative, kulturore dhe sociale.
“Për më tepër, do të ofrohet mbështetje për OJQ-të dhe klubet sportive me ofrim të zyrave moderne për ta. Me krijimin e këtyre ambienteve të reja do të nxitet përfshirja e qytetarëve në aktivitete sociale dhe sportive, duke krijuar ndjenjë të bashkësisë dhe solidariteti në Komunën tonë. Ky është edhe një premtim i mbajtur dhe projekt i rëndësishëm që tregon përkushtimin tonë për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Vazhdojmë pa u ndalur me investime për të rinjtë tanë”, përfundoi kryetari Qemajl Aliu.