Ligji për mbrojtjen e fëmijës nuk po gjen zbatim dhe deri më tani janë aprovuar vetëm 18 akte nënligjore. E drejta e fëmijëve në arsim, siguria në shkolla dhe mbrojtja sociale e shëndetësore janë disa nga çështjet më të ndjeshme me të cilat po ballafaqohen fëmijët. Kështu u tha në tryezën e diskutimit me temën “Ligji për mbrojtjen e fëmijës - progresi në zbatimin e tij”, nga koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijës në Kosovë (KOMF).
Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se është konstatuar se ky ligj nuk po zbatohet.
Për më tepër, Qelaj shtoi se në Kosovë nuk ka ndëshkueshmëri për mos zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve. Mbi bazën e ankesave, ai shtoi se janë identifikuar fushat ku më së shumti preken të drejtat e fëmijëve.
“Çështjet më të ndjeshme që i kemi identifikuar gjatë vitit 2022 dhe për cilat kemi dalë me qëndrim janë të drejtat e fëmijëve në arsim, e drejta e fëmijëve në procedurë pranë gjykatës, dhuna dhe gjendja e sigurisë në shkolla, fëmijët me aftësi të kufizuara, mbrojtja sociale dhe shëndetësore e fëmijëve”, ka shtuar ai.
“Ne ligjërisht kemi provuar të gjejmë rrugën, është një problem praktik. Ne mundemi, unë kam shkuar të bisedojë me disa ambasada dhe janë gati për të ndihmuar financiarisht disa profesionistë të cilët mund të ndihmojnë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe autizëm nëpër shkolla. Por, ne nuk kemi gjetur mundësi qysh ata të bëjnë pagesën, se ata duhet të ketë licencën dhe nëse ata nuk janë të licencuar, familja është sensitive. Disa herë jemi ulur me këto familje dhe jemi në rrugë qysh të ndihmojmë konkretisht”, u shpreh Balje.
Drejtoresha e koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi tha se niveli komunal ka nevojë për sensibilizim.
Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini tha se prej hyrjes në fuqi të ligjit për fëmijët kanë qenë të fokusuar në implementimin e tij.
“Fokusi jonë kryesor pas hyrjes në fuqi ka qenë, sepse neve na obligon Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, neni 64 thotë-vetëdijësimi i publikut dhe kërkon nga qeveria të bëjë një fushatë vetëdijësuese në nivel vendi. Jemi mobilizuar si institucioneve dhe shoqëri civile kemi lansuar për herë të parë fushatën nacionale dhe kemi përgatit një plan kombëtar se si duhet të punojmë në vetëdijësimin e qytetarëve për zbatim të ligjit”, tha ai. /Sh.Pajaziti