Kosova mund të ballafaqohet me qasje të re nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, thonë ish diplomatë kosovarë.
Sipas tyre, Kosova mund të vendoset para aktit të kryer më një vendim të Shtëpisë së Bardhë, që s’le shumë hapësirë për negocim e kundërshtim, njëjte siç është vepruar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn, në raport me agresionin ushtarak të Rusisë në shtetin e tij.
Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, thotë për KosovaPress se administrata Trump mund të ndjekë një politikë të bazuar në rezultate pragmatike dhe marrëveshje të suksesshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë vetëm mbështetës të këtij procesi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.Ish-diplomatja deklaron se Kosova ka humbur shumë shanse gjatë këtyre viteve për një zgjidhje në raport me Serbinë, andaj nga presidenti Trump mund të ketë një marrëveshje “merre ose lere”.
Në anën tjetër, ish-diplomati, Blerim Canaj, deklaron se presidenti Trump mund të insistojë në një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur Marrëveshjen Bazë në Bruksel dhe aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023, por që zbatimi i saj ende nuk ka filluar.