Pushteti paralajmëron largimin e masave ndëshkuese të BE-së, opozita skeptike
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Pushteti paralajmëron largimin e masave ndëshkuese të BE-së, opozita skeptike
Qeveria e Kosovës IH (2)
22/10/2023 - 07:27
Linku u kopjua

Mazhoranca në Kuvend po paralajmëron largimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Mirëpo opozita dhe analistët politikë, janë skeptik për një gjë të tillë, pasi konsiderojnë se "sanksionet", po përdoren për presion politik ndaj Kosovës në raport me dialogun me Serbinë.

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Partisë Guxo, Jeta Statovci, thotë për KosovaPress, se ka sinjale nga Bashkimi Evropian se do të largohen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Padyshim që po. Nga ana jonë janë cilësuar si masa të padrejta të cilat duke konsideruar se ishin masa ekonomike dhe duke ditur sa fragjile është ekonomia e Kosovës nuk mendoj se ishin as politikisht dhe as strategikisht një potezë i duhur. Andaj është theksuar nga ne, por edhe mbështetur nga senatorë dhe deputetë të tjerë që duhet të largohen masat ndaj Kosovës. Tashmë është edhe qëndrimi i joni që të ketë veprime, por ka edhe sinjale nga autoritetet dhe ndërmjetësues që do të ketë largim të këtyre masave”, thotë ajo.

Megjithëse i quan masat e BE-së të padrejta, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë veprim lobues për largim të tyre.

Në anën tjetër, analisti politik, Seb Bytyçi, thekson se masat janë vendosur për t'i bërë presion politikë Kosovës, andaj në rrethanat e tanishme e sheh të vështirë largimin e tyre.

Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së, në fund të muajit qershor.

Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026