Gazetat e Budapestit më 26 janar 1938, njoftuan se Kontesha Geraldine Apponyi pritet të fejohet me mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43-vjeçar.
Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi lajmin. Kontesha 22-vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit me një pagë të vogël.
Geraldine shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh çifti u fejua. E njohur si Trëndafili i Bardhë i Hungarisë, në prag të martesës, Geraldine u ngrit në statusin mbretëror si Princesha Geraldine e Shqipërisë.
Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund ndau fatin e të shoqit, në ditë të mira e të vështira. Pas vdekjes së Zogut, Geraldine preferoi të njihej si Nëna Mbretëreshë.