Protestuesit në Serbi: Jemi të gatshëm për shumë më tepër se trazira
Lexohet për: 4 min.
protesta-serbi-150223
1 vit më parë
Linku u kopjua

Para nisjes së tubimit të planifikuar nga shoqata e djathtë e Patrullës Popullore, disa qindra persona u mblodhën pranë Presidencës, duke bllokuar rrugën Kralj Milan në Beograd.

Dejan Zllatanoviq nga “Srbin Info”, kërkoi nga turma që të presë gjysmë ore që të fillojë protesta. Siç ka thënë ai, “qeveria tradhtare” ka bllokuar njerëzit nga Serbia në rrugën e tyre për në Beograd, por ata kanë njoftuar se do të vijnë. “Përkundër kësaj, ne arritëm ta mbushim këtë shesh dhe të sjellim më shumë njerëz sesa që Vuçiq do të sillte ndonjëherë, tha Zllatanoviq.

Një numër i madh i policëve me veshje civile janë parë përreth ndërtesës së Presidencës, por nuk kishte policë të uniformuar. Turma thërriste "Rusia, Serbia!"

Të pranishëm ishin anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Otagjbina Marko Jakshiq, ish-lideri i lëvizjes Obraz, Mlladen Obradoviq dhe njëri nga organizatorët e protestës dhe ish-anëtari i Partisë Radikale Serbe, Dejan Miroviq.

Në protestë ishte edhe Damjan Knezheviq nga Patrullat Popullore, në tubim valëviten flamujt serb dhe rus, si dhe flamuri i Partisë Popullore.

“Më dhemb shpirti të jem këtu sepse policia sapo hyri në banesën time ku është gruaja ime me një fëmijë. Nuk kam ku të shkoj tjetër Vuçiq, më prit”, tha Knezheviq.

“Askush që është në SNS nuk mund të quhet më serb. Ku je Vuçiq, ke ikur në Kragujevc? Ju betohem, jemi gati për shumë më tepër se trazira, po kërkojmë nga udhëheqja shtetërore që të paktën një muaj të bllokojë hyrjen e Kosovës për ta larguar këtë tradhtar. Nëse nuk e heqim sonte”, vazhdoi Knezheviq.

Ljubomir Stefanoviq nga “Slavija info”, tha se “Derisa policët tanë vdisnin dhe ne po bombardoheshim, Vuçiq u zhvendos në banesë të re. Ai përdori paratë tona për të paguar Bill Clinton dhe Tony Blair. Kulmi i tradhtisë në Kosovë është Lista Serbe, e cila është në pushtet me Albin Kurtin. Për Kosovën nuk do të diskutohet në Kuvend, por në rrugë”, tha ai.

Në vazhdim ka folur, Nebojsha Joviq nga Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës i cili tha se vëllezërit tanë rusë, qëndroni, Zoti do të dojë të fitoni. Vuçiq, nuk do të kaloj tradhtia, ne jemi pjesë e këtij kombi. Vuçiq, ju sulmoni gratë dhe fëmijët, na sulmoni ne. Ne nuk kemi frikë, kemi frikë vetëm nga Zoti.

Joviq kërkoi nga Vuçiq që negociatat të kthehen në Kombet e Bashkuara “ku Serbia ka miq” dhe akuzon presidentin serb për “shqiptarizimin e Kosovës”.

Ai po ashtu i ka bërë thirrje kryesisë së kishës që të flasë për Kosovën: “Qëndroni me ne, këtu e keni vendin”. Me kë do të shkoni nëse jo me popullin tënd”. “Urdhëroni të nisen litijet për Kosovë ”. Kur, nëse jo tani. “Shkishëroni tradhtarët nga Kisha Ortodokse Serbe, të gjithë ata që promovojnë pavarësinë e Kosovës”, ka kërkuar Joviq.

Të pranishmëve iu drejtua edhe anëtari i kryesisë së Lëvizjes Kombëtare të Serbëve nga Kosova, Marko Jakshiq. “ Vuçiqi ka hequr dorë nga Kosova. Na mashtron kur thotë se nuk do ta njohë Kosovën, por as që i kërkohet një gjë e tillë. Vuçiq dikur është angazhuar për një Serbi të madhe, ndërsa sot ai po angazhohet për një Shqipëri të madhe. Kështu është presidenti ynë”, tha Jakshiq.

“Ai duhet të na thotë se sa para ka marrë për Patriarkanën e Pejës dhe sa për Graçanicën”. Le të na thotë sa vlen koka e Llazarit?”, shtoi ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024