Punëtorë të përfaqësuar nga sindikatat në vend do të mbajnë protestë nesër (e mërkurë), me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtoreve. Punëtorët pritet të shprehin pakënaqësitë e tyre për paga të ulëta, për të drejtat dhe sigurinë në punë.
Për këtë protestë janë bërë bashkë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat. Vetëm gjatë vitit 2023 kanë humbur jetën 11 punëtorë dhe 330 aksidente në vendin e punës.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka theksuar për KosovaPress se kjo protestë vjen pas mungesës së dialogut social dhe qasjes së gabuar me sindikatat nga ana e qeverisë. Ai shton se numri i protestuesve vetëm nga SBASHK-u pritet të kalojë mbi 1 mijë.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se festa e 1 Majit, nuk po i gjen shumë punëtor në Kosovë. Sipas të dhënave në terren, nga bizneset, ai thotë se vetëm dy muajt e parë të vitit janë mbi 150 mijë punëtor që nuk do të kthehen më në Kosovë, pasi kanë gjetur kushte më të mira në vendet evropiane.
Në anën tjetër, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli derisa tregon se do i bashkëngjiten kësaj proteste, thotë se arsyet për të protestuar janë të shumta.
KosovaPress ka dërguar pyetje lidhur me kërkesat dhe protestën e sindikatave edhe tek Qeveria e Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj teme. /E.Krasniqi/