Romani “Zgjerimi” i shkrimtarit austriak Robert Menasse, është vlerësuar i nevojshëm për kuptimin dhe mënyrën e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian. Leximi është organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë dhe Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.
Menasse të enjten lexoi pjesë nga romani i tij në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.Ambasadori i Austrisë në Prishtinë, George Schnetzer, vuri në pah se romani “Zgjerimi” ka fituar disa çmime ndërkombëtare. Ai tha se ky libër është i pari që merret me çështje të zgjerimit të BE-së, por veçon edhe rastin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
“Si roman është vijimësi i romanit ‘Kapital’ që është botuar në vitin 2015 e sipas ekspertëve është i pari roman që merret me BE-në dhe me çështje të zgjerimit të BE-së, por merret më konkretisht me rastin e Shqipërisë. Autori ka bërë shumë hulumtime si në Bruksel ashtu edhe në Shqipëri. Ai është botuar në vitin 2022 dhe është shpallur si fitues i çmimit evropian të librit në Gjermani”, tha ai.“Në institucionet e BE-së në Bruksel bëhen shumë përpjekje për komunikimin për të gjetur se si mënyrat e vendimmarrjes për BE-në të jenë të kuptueshme për publikun pasi që ka shumë gjuhë dhe shumë media. Kjo nuk është e lehtë. Unë kam punuar për 15 vjet në BE dhe mund të them se zotëri Menasse ia ka dalë të prezantojë punën e Brukselit në romanin e tij”, tha ajo.
Autori Robert Menasse tregoi detaje mbi përmbajtjen e librit të tij. Ai duke lexuar disa fragmente të romanit, tha se ka përdorur shumë simbolika të cilat sipas tij janë fenomen i pushtetit. Po ashtu, foli për planet e zgjerimit të BE-së dhe nacionalizmin në vendet anëtare për idetë e zgjerimit.