Ambasadori William Walker promovoi sonte librin “Historia e një krimi lufte Reçak”, i cili përshkruan përjetimet e tij personale lidhur me masakrën që tronditi komunitetin ndërkombëtar dhe ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Latif Mustafa, zyrtar për komunikim nga libraria “Dukagjini”, tha se janë krenarë me mysafirin e tyre sot.
Qytetarë të shumtë kishin ardhur në këtë promovim të librit. Njëri prej tyre ishte edhe Sadik Shala nga Suhareka.
"Vij nga Suhareka, kam ardhur për të respektuar ish-ambasadorin Walker dhe për ta takuar dhe falënderuar për të gjithë atë që ka bë për popullin e Kosovës. Librin tash e kam blerë dhe mendoj se është një libër shumë i qëlluar sepse i ka faktet dhe i ka të gjitha ato që duhet t’i ketë një libër kështu që do ta lexoj deri në fund. Meqë nuk e di gjuhën angleze, megjithatë jam krenar që pata mundësinë të vij për ta takuar një njeri që është profet për popullin e Kosovës", tha ai."Kam ardhur sot edhe për ta blerë librin për Reçakun dhe për ta takuar nga afër ish-ambasadorin William Walker, i cili ka bërë kthesë shumë të madhe në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi. Kam dëshirë ta takoj, ta shoh si frymon ai njeri i cili ka bërë shumë për neve. Çka është më e mira e më të mirave atë që i ka përjetuar dhe çka ka parë në Reçak i ka vendosur në libër, andaj e falënderojmë deri te Zoti për kontributin e tij që e ka dhënë për shqiptarët", tha ai.
Libri është një përmbledhje e kujtimeve të William Walker mbi ngjarjet në Reçak dhe krimet e kryera nga forcat kriminale serbe.
Kujtojmë, sot ambasadori William Walker mori pjesë në homazhet në Reçak, në 26-vjetorin e masakrës.