Në kuadër të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, u promovua libri “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi” me autor ish-presidentin Fatmir Sejdiu.
Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ky libër është një rikapitullim i rrugës së shtetformimit që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Osmani theksoi se në këtë libër paraqiten momente autentike që prej filleve të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë fillimin e bisedimeve dhe rrjedhën e tyre për statusin tonë politik, shpalljen e pavarësisë, hartimin e kushtetutës, fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe zhvillime të tjera politike që ndërthuren me aktivitetin e tij politik.
Ajo shtoi se libri i Sejdiut do të jetë një testament dhe frymëzim për gjeneratat e reja në mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Sejdiu tha se rrëfimin e tij e ka filluar me ngjarjet e bujshme që kanë tronditur botën demokratike, derisa përmend dhunën e terrorin ndaj qytetarëve të Kosovës, organizimin politik të Kosovës, dramat e mëdha të përjetuara në Prekaz, në Mejë e të tjera.
Ai potencoi se “me mbështetjen e miqve tanë, me njerëzit e Kosovës do të lëvizim edhe në pranimin e saj përtej 117 shteteve, por edhe në pranimin e saj në institucionet ndërkombëtare”.
Ai vlerësoi se ish-presidenti Sejdiu është njeri me vizion, ngase sipas tij, gjatë dhe pas procesit të Ahtisarit, presidenti Sejdiu kishte një koncept.
Ndërkaq, ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi derisa foli për rëndësinë dhe domethënien e titullit të librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi”, tregoi një ngjarje kur kishte qenë për vizitë në Kosovë, rreth 3 javë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për çka tha se kishte marrë një pyetje “provokative” nga një gazetar. Topi tha se u pyet nëse ai ishte lajmëtar i shpalljes së pavarësisë, për çka shtoi se në mënyrë indirekte kishe pohuar një gjë të tillë.
Kujtojmë se të premten e 10 shkurtit të vitit 2006, Fatmir Sejdiu mori postin e presidentit të Kosovës. Me 80 vota për, 12 kundër dhe 17 të pavlefshme, Sejdiu ishte zgjedhur president pas tre raunde votimesh në Kuvendin e Kosovës.
Ai ishte kandidati i vetëm i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kështu kryetari Sejdiu do të vazhdonte mandatin e ish-kryetarit Ibrahim Rugova deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...