Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: B.K., E.Sh., B.S., - person përgjegjës i personit juridik si dhe personit juridik- Operatorit Ekonomik, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 dhe“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, të pandehurit B.K., dhe E.Sh., prej datës 18.05.2022 deri në muajin prill 2023, në Suharekë, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, dhe atë B.K., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe E.Sh., në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tyre zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për persona tjerë, të njëjtit me dashje shkelin Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren për Prokurim Publik, në atë mënyrë që me vendimin e datës 18.05.2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia – me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”, ku nga provat e siguruara rezulton që të hollat në vlerë prej 72,214.74 Euro, janë paguar për Operatorin Ekonomik, mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihej në kontratë, përderisa në vitin 2022 përpilojnë dokumentacione fiktive dhe të rrejshme, ku i pandehuri B.K., në bashkëkryerje me të pandehurin E.Sh., më datë 12.12.2022 përpilojnë dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse janë realizuar punimet sipas kontratës përderisa gjendja në teren ka qenë e pa realizuar deri në kohën kur prokuroria së bashku me hetuesit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore në këtë çështje penale, me ç’ rast të njëjtit të gjendur para një situate të tillë, në muajin prill të vitit 2023, në bashkëpunim me personin juridik - Operatorin Ekonomik me qëllim që t’i shmangen përgjegjësisë penale dalin në teren dhe shtrojnë rrugët e ridestinuara, të cilat rrugë nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë rezultojnë me dëme material, ku trashësia mesatare e asfaltit në segmentin “Manastiri”, “Hasan Basha” dhe “Guri i gjatë” rezulton të jetë 6.5 cm ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 1.5 cm, trashësia mesatare e asfaltit në rrugën “Bajram Kurti” është 7.53cm, ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 0.47 cm, trashësia mesatare e mbushjes me tampon në rrugën “Sadri Shasha” është 5.7 cm, ndërsa me kontratë është paraparë të jetë 10 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 4.3 cm, me këto veprime i mundësojnë nga njëra anë Operatorit Ekonomik përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe nga ana tjetër i shkaktojnë dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 8,651.97 euro, pa llogaritur shkallën e dëmit në stabilitetin dhe jetëgjatësinë e rrugëve të punuara. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit elartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit, konform dispozitave ligjore ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve B.K. dhe E.Sh., përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues - Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.