Prokuroria e Kosovës ka hedhur poshtë kallëzimin penal të paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) lidhur me dyshimet për keqpërdorime në ndarjen e granteve në bujqësi gjatë mandatit të ish-ministrit Faton Peci.
Ish-ministri Peci ka shkruar në Facebook se organi i akuzës nuk ka gjetur prova që mbështesin pretendimet për ndërhyrje apo keqpërdorime në këtë proces.
“Gjatë kohës sa isha ministër i bujqësisë, ky institucion u reformua rrënjësisht; ishte periudha kur fermerët, për herë të parë. Nuk dhanë më haraç për të përfituar grant. 360 milionë euro të ndara për 130 mijë fermerë përfitues; nuk kishte asnjë rast të faktuar që dikush përfitoi jashtë kritereve të përcaktuara me ligj. Nga 130 mijë fermerët përfitues u “gjurmua” dhe u “zbulua” se njëri ishte vëllai i një deputeteje, por nuk u gjet asnjë dëshmi e ndikimit tim, për faktin e thjesht sepse nuk ekzistonte.”, thuhet në njoftimin e Pecit.
Ai ka paralajmëruar inicimin e kallëzimeve penale për “kallëzim të rremë” ndaj përfaqësuesve të LDK-së, përfshirë kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, deputeten Hykmete Bajrami, si dhe një zyrtar tjetër të përmendur si pjesë e kësaj çështjeje.Në fund të reagimit, ish-ministri ka vlerësuar se periudha e drejtimit të tij në Ministrinë e Bujqësisë ka shënuar periudhën më të ndritur të lulëzimit në bujqësi, për një çerek shekulli.