Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) së voni ka pranuar afër njëzetë njoftime nga prokurorë dhe anëtarë të stafit mbështetës nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për tërheqjen e dorëheqjeve të paralajmëruara më parë.
KPK-ja njoftoi se emailet i janë dërguar kryesuesit të Këshillit, Arian Gashi, nga prokurorë dhe stafi mbështetës nga radhët e komunitetit serb, përmes së cilave e kanë informuar atë për tërheqjen e dorëheqjeve.
Përfaqësuesit e komunitetit serb ishin larguar në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës në fund të nëntorit 2022, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targat e Kosovës.
Përveç zyrtarëve policorë dhe punonjësve të administratës lokale, dorëheqje dhanë edhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë më 17 korrik se do të shqyrtojnë me kujdes kërkesën e ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu për këtë çështje. REL-i ka pyetur Këshillin Gjyqësor nëse ka pranuar ndonjë njoftim për tërheqje të dorëheqjeve dhe është në pritje të përgjigjes.
Ditë më parë, një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se çështja e kthimit në punë të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë po shqyrtohet në kuadër të dialogut për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku.
Largimi kolektiv i serbëve nga institucionet e Kosovës ishte iniciuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e autoriteteve në Beograd.
Por, me kalimin e kohës, disa prej atyre që nuk mbështesnin Listën Serbe, mbetën pa këto paga dhe njëkohësisht humbën mundësinë për t’u rikthyer në vendet e tyre të mëparshme të punës.
Pas krizave të shumta në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që kulmuan me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 2023 nga një grup i serbëve të armatosur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për rikthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në institucionet e drejtësisë.
Ndërkaq, autoritetet e Kosovës kanë thënë se rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë çështje politike, por duhet të trajtohet si çështje juridike dhe kushtetuese.