Përfshirja e Kosovës në programin “Tregu i Përbashkët” është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, tha ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Në konferencë për medie të enjten, ministrja Hajdari tha se përmes këtij program në vlerë 4.2 miliardë euro bizneset e vogla dhe të mesme të Kosovës do të përfitojnë nga mbështetja e BE-së, por mund të ndërveprojnë edhe me bizneset e shteteve anëtare të BE-së, por edhe atyre që janë në fazë të para anëtarësimit.
Ministrja Hajdari tha se programi do të fokusohet në pesë shtylla dhe veçanërisht në forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe mesme.
“Kosova do të jetë përfituese e programit të Bashkimit Evropian, “Tregu i Përbashkët” në vlerë 4.2 miliardë euro, duke u bërë një prej vendeve të para që bëhet pjesë e kësaj skeme. Është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që ofron Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrushmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve të mikro të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë sigurinë e ushqimit, të statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”, tha ajo.
Na anën tjetër, ministrja Hajdari tha se Qeveria e Kosovës po punon për t’i siguruar investitorët e huaj të qëndrojnë në Kosovë, derisa përmendi rastin edhe shpalljen investitor strategjik të investitorit “Kosmonte Foods”.
Në kuadër të programit të Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”, Kosova, do ta paguajë një kontribut të pjesëmarrjes i cili varion nga zhvillimi ekonomik e që është në përputhje me bruto produktin vendor - shifra e kontributit për vitin 2023 është 64 mijë e 990 euro./KosovaPress/