Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale mos të afatizohet
Lexohet për: 3 min.
rushiti
1 vit më parë
Linku u kopjua

Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, aktualisht është në vakum ligjor. Nga shkurti i këtij viti, asnjë viktimë nuk ka pasur mundësi të aplikojë pranë komisionit qeveritar dhe të gëzojë pensionin. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe organizatat tjera të licencuara, kanë përsëritur kërkesën që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Ndërkohë, është në proces plotësim-ndryshimi i ligjit, i cili mundëson zgjatjen e afatit vetëm për dy vjet.

Sfidat dhe shqetësimet e burrave dhe grave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë përmendur edhe në tryezën "E drejta për njohje: Ndikimi i mungesës ligjore dhe afatizimit të aplikimit në procesin e njohjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë".

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se nuk duhet të kufizohet afati për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

Në komisionin i cili ka mbaruar punën në shkurt, Rushiti shtoi se nuk është pranuar asnjë histori e re e viktimave të dhunës seksuale.

E zhgënjyer me këtë proces u shpreh drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj, e cila tha se tash e 24 vjet po përballen me sfida.

Edhe drejtoresha e "Medica Kosova", Veprore Shehu tha se ky afat nuk mjafton që gratë të sfidojnë mentalitetin e familjes e shoqërisë dhe të gëzojnë të drejtat e tyre.

Të vështirë e ka konsideruar për viktimat, Mirlinda Sada nga Medica Gjakova, vakumin ligjor të krijuar pas përfundimit të mandatit. Sipas saj, krimet e luftës janë shkelje e të drejtave të njeriut dhe të njëjtat nuk parashkruhen.

E në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për te Drejtat e Njeriut, Duda Balje deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.

Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj. Statusi i viktimës së dhunës seksuale është njohur me ligj në vitin 2014. Ndërkaq, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025