Pritja solemne për Krishtlindje, Dodë Gjergji përçon mesazhin për paqe e dashuri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Sonte në Qendrën “BogdaniPolis” në katedralen “Shën Nënë Tereza” është mbajtur pritja solemne në prag të kremtimit të festës së Krishtlindjes.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, me këtë rast barti mesazhin e paqes dhe dashurisë për të gjithë njerëzit, me dëshirën që ata të jetojnë të lumtur, në harmoni dhe paqe.

“Faleminderit që keni ardhur sonte për të bashkë ndarë me ne gëzimin, e që na mbështetni të jemi bartës të shpresës, dashurisë dhe paqes në këtë vend e këtë popull... Kisha nuk pretendon të jetë ndonjë gjë tjetër përveç se një bredh i bukur në popullin tonë, që është i dekoruar me virtyte, sakrifica, kontribute të shumta në histori,” tha Imzot Dodë Gjergji.

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Demokratike të Kosovës (LDK) Visar Berisha uroi besimtarët katolikë me dëshirën që në familjet e tyre të mbretërojë paqja e solidariteti për njëri-tjetrin.

“Ju urojmë festa të këndshme që t’i kalojnë sa më mirë pranë të afërmeve të tyre që të kanë bujari në mesin e tyre, solidaritet, që të jenë familje të bashkuara dhe secila të ketë një shpresë për të ardhmen për vitin që vjen,” u shpreh Berisha për KosovaPress.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri tha se toleranca në mes të religjioneve në Kosovë është një pasuri të cilën të gjithë duhet ta ruajnë.

“Bashkëpunimi dhe toleranca në mes të religjioneve në Kosovë është një pasuri të cilën duhet ta ruajmë e ta mirëmbajmë,” tha Tahiri për KosovaPress.

Në këtë pritje solemne, organizuar nga Dioqeza Prizren-Prishtinë, morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, myftiu i Kosovës Naim Tërnava dhe shumë të tjerë.

Ndryshe, sonte në mesnatë mbahet mesha solemne e Krishtlindjes e udhëhequr nga Imzot Dodë Gjergji, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

Krishtlindja është një nga kremtimet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera. Ajo kremtohet dhe festohet çdo datë 25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e shpëtimtarit Jezu Krishti. Pas Pashkëve, është festa më e rëndësishme për të krishterët. /A. Shala/ 

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024