Organizimi i "Prishtina Trails" këtë vit pritet të sjellë një ngjarje të jashtëzakonshme në Parkun e Gërmisë.
Bashkëorganizatori i saj, Veton Zagi, bëri të ditura për KosovaPress detajet e garës që do të mbahet këtë fundjavë, më 9 dhe 10 maj.
Pjesëmarrja e këtij viti dëshmon rritjen e interesit për vrapimin trail në Kosovë. Sipas organizatorëve, numri I përgjithshëm i vrapuesve ka arritur në 500.
Për herë të parë në këtë edicion, vëmendja kryesore është te distanca ultra prej 48 km, e cila nis në orën 6:00 të mëngjesit. Zagi shpjegon se kjo distancë është dizajnuar për të prekur çdo shteg kryesor brenda dhe rreth Gërmisë, duke ofruar një larmi terrenesh që testojnë limitet e vrapuesve.
"Gërmia ofron një larmi të terrenve, vështirësive dhe ambientit ku i çon vrapuesit, kështu që jemi munduar t’i prekim të gjitha shtigjet kryesore për të mbërritur distancën prej 48 km. Në profilin e vrapimit malor, kjo karakterizohet si ultra-distancë dhe është më e vështira. Janë regjistruar mbi 50 vrapues në këtë kategori dhe presim një garë shumë të fortë, si nga vendorët që zakonisht e kanë dominuar këtë garë, ashtu edhe nga disa pjesëmarrës të rinj nga jashtë Kosovës," u shpreh Zaiqi.
"Klubi ynë 'X-Trailers' ka pasur vazhdimisht bashkëpunime që kontribuojnë në masovizimin e pjesëmarrjes në natyrë. 'Ëings for Life' mbahet për disa herë në Kosovë; vitin e kaluar filluam bashkëpunimin duke ndarë logjistikën tonë. Kjo garë bëhet për ata që nuk munden të vrapojnë, për të ngritur fonde për kërkim shkencor mjekësor. Ky vrapim është rekreacional dhe vetëdijësues; jemi shumë krenarë që Kosova bashkëpunon me një organizatë të tillë," tha Zaiqi.
"Jemi të detyruar ta ndalim qarkullimin e veturave pasi pjesa e poshtme shfrytëzohet në ora 13:00 për qindra pjesëmarrësit e 'Ëings for Life'. Si klub 'X-Trailers', në bashkëpunim me klubet tjera dhe shoqatat mjedisore, jemi duke lobuar që veturat të ndalohen përgjithmonë. Nuk ka më kuptim që në vitin 2026 të futen veturat në park; nuk është pistë garash dhe ambient i zhurmës së motorësh. Ka ardhur koha të ofrohen mjete alternative transporti dhe natyra të shijohet në qetësi," theksoi ai.
Zagi ndau një mesazh inspirues për të gjithë ata që do t’i ngjiten malit për herë të parë, duke vënë theksin te ndjenja e përmbushjes që sjell përfundimi i një gare të tillë.
Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm për rritjen e kulturës sportive dhe vetëdijesimit mjedisor në Kosovë, duke e shndërruar Parkun e Gërmisë në një qendër të vrapimit malor dhe solidaritetit ndërkombëtar. "Prishtina Trails 2026" nuk është vetëm një garë, por një festë e sportit që bashkon komunitetin rreth vlerave të shëndetit dhe mbrojtjes së ambientit.
KosovaPress