Albi Mall Superliga e Kosovës ka dhuruar verdikte dramatike dy xhiro para përfundimit të kampionatit, duke qartësuar fatin e kreut dhe të fundit të tabelës.
Skuadra e Prishtina e Re është konfirmuar zyrtarisht si ekipi i parë që largohet nga elita e futbollit kosovar. Fatit të njëjtë nuk ka arritur t'i ikë as Ferizaj, i cili pas rezultateve të sotme shndërrohet në skuadrën e dytë që përshëndetet zyrtarisht me Superligën për këtë edicion.
Kështu, Malisheva i bashkohet Dritës dhe FC Ballkanit si tri skuadrat e sigurta që do ta përfaqësojnë Kosovën në Evropë këtë vit, ndërsa udhëtuesi i katërt drejt skenës ndërkombëtare do të vendoset përmes finales së Kupës së Kosovës.
Me rënien e dy skuadrave të fundit, e gjithë vëmendja e dy xhirove të mbetura do të zhvendoset te gara e ethshme për t'i ikur pozitës së barazhit.Ndërkohë, një lajm interesant vjen edhe nga nivelet më të ulëta, ku FC Mitrovica ka siguruar zyrtarisht inkuadrimin në Ligën e Parë, gjë që nënkupton se sezonin e ardhshëm ky rang garash do të ketë plot tri skuadra nga qyteti i Mitrovicës.
KosovaPress