Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se presidentja Osmani do t’i bashkohet 46 liderëve të tjerë të shteteve evropiane, institucioneve të BE-së, NATO-s, e organizatave të tjera ndërkombëtare, me qëllim të adresimit të çështjeve më urgjente për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve anekënd Evropës.
Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe Kryeministri Keir Starmer.
Ndërsa, gjatë takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të diskutojë rëndësinë e forcimit të aleancave të Republikës sonë, si dhe thellimit të bashkëpunimit me shtetet partnere me fokus të veçantë në fushën e sigurisë.