Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Shenjëtarisë vizitoi Kosovën
Lexohet për: 5 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Shenjëtarisë (ISSF), Luciano Rossi, ka vizituar sot Kosovën, me ç’rast është pritur nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, drejtuesit e Federatës së Shenjëtarisë Sportive të Kosovës, kryetari Gëzim Hazrolli, sekretari i përgjithshëm, Driton Sejdiu dhe nënkryetari Agron Jusufi.

Të pranishëm në takim ishin edhe drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, dhe kryetari i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rrufa. Presidenti Krasniqi, duke i uruar mirëseardhje presidentit Rossi, i shprehu vullnetin dhe gatishmërinë që bashkërisht të vazhdojnë përkrahjen për avancimin e mëtutjeshëm të shenjëtarisë sportive në Kosovë, derisa foli edhe për marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, pjesë e të cilave do të jetë edhe sporti i shenjëtarisë sportive.

“Patëm kënaqësinë që të kemi mysafir zotin Rossi, biseduam rreth aktiviteteve të kësaj federate, biseduam rreth lojërave mesdhetare që do të mbahen në Kosovë në 2030, biseduam gjithashtu për mbështetjen që kjo federatë po bën për Federatën e Shenjëtarisë së Kosovës. Gjithashtu, ne i treguam që Federata e Shenjëtarisë së Kosovës ka një mbështetje edhe nga KOK, MKRS. Kemi sportista elitarë të cilët synojnë normal në Los Angelos në 2028. Ne i treguam që kemi një plan që së bashku me MKRS të ndajmë një buxhet që t’i mbështesim sportistët nga federatat e ndryshme, në veçanti edhe në Federatën e Shenjëtarisë, që ata sportistë të fillojnë të përgaditën në mënyrë që t’i fitojnë normat për LA 2028. Biseduam edhe për normat që i kemi fituar për Paris 2024 dhe rezultatet e Kosovës në përgjithësi“, tha ai.

Edhe kryetari Hazrolli, falënderoi të parin e shenjëtarisë në botë për vizitën, duke thënë se vizita e tij tregon mbështetjen që ka për FSHSK-në, derisa foli edhe për bashkëpunimin e mirë me KOK-un. Ai ka thënë se është vizitë historike dhe presin mbështetje nga presidenti Rossi.

“Federata Botërore e Shenjëtarisë ka qenë gjithmonë në përkrahjen tonë dhe sportistëve tonë që të arrijnë kulmet e rezultateve në këtë sport por ne jemi para një etape kohore ku presim të bëjmë edhe investime më të mëdha në organizimin e lojërave të mediterane dhe kemi premtime shumë të mëdha nga presidenti dhe Federatës Botërore të Shenjëtarisë që të na ndihmojnë në ngritjen e të gjitha atyre ambienteve me standarde që mund t’i përdorim edhe në të ardhmen”, tha ai.

Nga ana e tij, presidenti Rossi, duke falënderuar KOK-un dhe FSHSK-në për mikpritjen, tregoi se bashkëpunimi i mirë me FSHSK-në, ka nisur që nga procesi i anëtarësimit të kësaj federate në ISSF-së, ku ai kishte dhënë përkrahje të fuqishme, derisa veçoi punën dhe përkushtimin e federatës tonë për avancimin dhe ngritjen e cilësisë së këtij sporti në Kosovë.

“Po punojnë shumë, kanë filluar sezonin e ri, dhe e dimë që lojërat mesdhetare do të jenë në vendin tuaj të bukur. Shumë herë kemi harruar në të kaluarën, edhe nga bashkëpunëtori im, por jo më në të ardhmen, nuk do të harrojmë, jemi afër me spektrin e stradiocionit dhe të historisë suaj, dhe duhet të bashkëpunojmë së bashku. Arsyeja e vetme që unë jam këtu për herë të parë në Kosovë, dhe jo për të fundit, për të bashkëpunuar së bashku, të takoj presidentin e KOK-ut, i gjithë stafi janë shumë të mirë. Kjo është mënyra e duhur në drejtimin tonë për të punuar së bashku, faleminderit Kosovë”,  “, tha ai.

FSHSK, ashtu si federatat tjera, buxhetin kryesor e kanë nga MKRS, për çka drejtori Ibër Alaj premtoi përkrahje edhe në të ardhmen, në mënyrë që ky sport të fuqizohet edhe më shumë.

“Ne si ministri iu zotuam presidentit Rossi që do ta mbështesim Federatën e së Shenjëtarisë, bashkë me KOK-un, në mënyrë që në ciklet e ardhshme të jetë olimpike të ketë atletë të cilët do të jenë pjesë e normave olimpike“, tha ai.

Palët diskutuan edhe për projekte tjera të bashkëpunimit në interes të sportit të shenjëtarisë në Kosovë, me theks të veçantë investimet që do të bëhen për shenjëtarinë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Pas takimit të mbajtur në KOK, presidenti Rossi vizitoi edhe sallën e shenjëtarisë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku pajisjet të cilat përdoren nga shenjëtarët janë pikërisht donacion i ISSF-së.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024