Presidentët shqiptarë e kanë konsideruar Kuvendin e Junikut si platformën më të pastër politike, ushtarake, e kombëtare për çlirim. Në shënimin e 110-vjetorit të këtij kuvendi, Vjosa Osmani dhe Ilir Meta, kanë deklaruar se kjo ngjarje ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në bashkërendimin e përpjekjeve të popullit shqiptar për organizimin e kryengritjes.
Presidentja Vjosa Osmani në shënimin e Kuvendit të Junikut, deklaroi se kjo është një nga përvjetorët më të rëndësishëm të historisë kombëtare.
Kjo platformë, siç tha Osmani, ka përfshirë dimensionin nacional, politik dhe ushtarak. Ajo shtoi se Kuvendi i Junikut ka një peshë të madhe në përpjekjen për pavarësi në trojet shqiptare.
“Kuvendi i Junikut u mbajt në një moment vendimtar të historisë së popullit shqiptar dhe u dha krahë përpjekjeve të tij për mvetësim. Ajo hyn në rrjedhën e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, duke qenë se ofroi platformë të qartë për lirinë e tij. Në mënyrë të mahnitshme nga 21 deri më 25 maj të vitit të pavarësisë, përfaqësues të trevave të ndryshme shqiptare të vilajeteve të atëhershme, u mblodhën bashkë në këtë vend të qëndresës historike, të cilat e simbolizojnë sot kullat e gurta, kaq të bukura”, ka shtuar ajo.
E presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh se çdo shqiptarë krenohet me veprën e lavdishme të burrave të cilat lëshuan kushtrimin në Junik për liri dhe pavarësi.
“Para 110 viteve, Juniku u bë logu i Kuvendit për 250 burra, trima, të pendës e të pushkës në krye me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin dhe shumë patriotëve të tjerë. Për katër ditë dhe netë u diskutua dhe u debatua për bashkimin dhe fillimin e një kryengritje të përbashkët në Kosovë dhe në mbarë veriun e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e trojeve kombëtare. Në atë Kuvend në një moment vendimtar të historisë tonë kombëtare, u lidh besa për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha 500 vjeçare osmane. Kuvendi i Junikut paraqiti platformën e pastër politike dhe ushtare, kombëtare për çlirim. Treguesi më i qartë për këtë qëndrim ishin edhe 12 pikat e programit që u bë edhe platforma kryesore e lëvizjes mbarëkombëtare për liri dhe për pavarësi”, ka deklaruar Meta.
Historiani Frashër Demaj tha se vendimet e Kuvendit të Junikut motivuan edhe më shumë ideatorët e kryengritjes, ku u përkrah edhe në kuvendet krahinore dhe tubimet e vogla në gjithë vendet shqiptare. Për çka, qeveria turke ndërmori masat për pengimin e masivizimit të kryengritjes.
Kuvendi u mblodh me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të morën pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, Shkodrës dhe të Elbasanit. Në këtë formë, u paralizuan veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes.