Qytetarë të shumtë, përfshirë edhe personalitet shtetërore kanë vizituar sot Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke bërë nderime e duke u përkulur para varrezave të familjes Jashari.
28 Nëntori, që është një nga datat më të rëndësishme për popullin shqiptar, përveç që shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë, në Kosovë shënohet edhe ditëlindja e Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari si dhe të daljes së parë publike të UÇK-së.
Gjatë paradites, homazhe atje kanë bërë drejtues të institucioneve të Kosovës, liderë të partive politike.
Aty u panë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga kryekuvendari, Glauk Konjufca.
Në anën tjetër, Konjufca tha se 28 nëntori gjithmonë fillon në Prekaz, aty ku ka ndodhur sipas tij sakrifica më e lartë e popullit të Kosovës për liri.
Të pranishëm ishin edhe liderë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Aty nuk mungoi edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj tha se 28 Nëntori është ngjarje me rëndësi që bashkon gjithë shqiptarët.