Policia e Kosovës përmes një njoftimi publik ka apeluar për qetësi dhe fton të gjithë qytetarët të jenë të qetë, të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, si dhe mos të bien pre e dezinformimit dhe deklarimeve tendencioze dhe të pavërteta.
Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik lidhur me zhvillimet e fundit në komunat e veriut të vendit njofton se publikimet e shkrimeve të cilat i referohen deklarimeve nga përfaqësues të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë janë të pavërteta dhe tendencioze, si dhe sqaron për opinionin publik dhe mediat me sa vijon:
Grupet kriminale duke kryer veprime të kundërligjshme përmes të cilave cenojnë lirinë dhe sigurinë e qytetarëve tentojnë t’ia atribuojnë këto veprime njësive të rregullta të PK-së të cilat janë duke kryer detyrat e tyre me shumë përgjegjësi.
Njësitë policore të rendit publik kanë asistuar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.
Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.
Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë.
Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit.