Videot që duket se shfaqin grupe të burrave vetëm në të brendshme në temperatura afër zeros dhe duke u detyruar nga Serbia që të kthehen në Maqedoni të Veriut janë dëshmi e keqtrajtimit në eskalim të emigrantëve në kufijtë evropianë, sipas grupeve për të drejtat e njeriut.
Dy video që i janë treguar gazetës “The Guardian” nga organizata joqeveritare maqedonase, “Legis”, shfaqin një rresht të burrave gjysmë të zhveshur në një rrip rruge afër kufirit Serbi – Maqedoni e Veriut, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas kësaj organizate, ky incident është i dyti prej dy kthimeve “degraduese” dhe abuzuese për një periudhë 24-orëshe, kur organizata pretendon se mbi 50 persona ishin detyruar që të zhvisheshin deri në të brendshme nga autoritetet serbe para se të detyroheshin që të ktheheshin në Maqedoni të Veriut.
Organizata “Legis” thotë se stafi lokal më vonë arriti që të bisedonte me këta burra, të cilët e identifikuan veten si sirianë.
“Këto incidente ndodhin kur BE përgatit kufizime për emigrantët në rrugë, dhe në këtë rast vetëm disa ditë pas një samiti të bashkëpunimit kufitar BE-Serbi. Më pas shohim ndikimin dhe pasojat e drejtpërdrejta”, tha Redjepi.
Edhe pse ka pasur raportime për zhveshjen e emigrantëve në kufijtë e tjerë evropianë, Redjepi thotë se kjo është hera e parë që raportohet në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.