Policia e Kosovës në Ferizaj ka dalë me detaje rreth arrestimit të Gëzim Çelës, ish-punonjësi i policisë shqiptare në arrati, i njohur si “baroni i drogës”.
Në një komunikatë për media thuhet se deri tek arrestimi ka ardhur pas një pune intensive operative dhe në bashkëpunim e koordinim me policinë e Shqipërisë. Arrestimi i Gëzim Çelës, i cili kishte gjetur strehim në Kosovë pasi në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti, ka ndodhur sot rreth orës 17:55 në fshatin Dardani të Ferizajt.Dyshohet se një shtetas i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria.
Hetuesit e antidrogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të Policisë së Kosovës.
Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU, e cila në koordinim me organet e drejtësisë, do të merret me procedura rreth rasteve të arrestimeve të personave në kërkim ndërkombëtar.
Ndryshe, Gëzim Çela, u arratis gjatë operacionit “Flakë në det” në Shqipëri. Policia shqiptare kishte zbuluar se Gëzim Çela dhe grupi i tij, i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik ku në një velierë e shkëmbente kanabisin me kokainë.
Më herët ai ka qenë i arrestuar për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik ndërkombëtar droge.