Në Zubin Potok ka nisur ndërtimi i një stacioni të ri policor, pasi stacioni aktual policor në këtë komunë është i vendosur në një objekt privat, me qira, i cili nuk plotëson kushtet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe punë të zyrtarëve policorë.
Në një komunikatë për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me qëllim edhe krijimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve sa më të mira ndaj qytetarëve, ka filluar procedurat për ndërtimin e një objekti të ri në Zubin Potok.
Më 11.05.2022 është pranuar njoftimi nga komuna Zubin Potok për plotësim të dokumentacionit për regjistrim të pronës në emër të Policisë së Kosovës, komfor vendimit të Qeverisë si dhe pëlqimi për qasje në rrugë, certifikata e pronësisë, ndërsa pas bartjes së pronës në emër të PK-së, është lëshuar edhe vendimi për qasje në rrugë të datës 19.08.2022.
Më datë 23.10.2023, PK-ja është pajisur me leje ndërtimore, për ndërtimin e objektit sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar më 10.12.2021 mes PK-së dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil për projektin.
Ndryshe, Lista Serbe sot ka reaguar ndaj nisjes së ndërtimit të këtij stacioni policor, duke e quajtur presion institucional të Prishtinës ndaj popullit serb dhe synim për krijim të tensioneve e përshkallëzimit të situatës në veri.