Polici në Shqipëri ra në humnerë derisa kontrollonte për bimë narkotike, KFOR-i e ndihmoi me helikopter
Lexohet për: 3 min.
kfori-280522
2 vite më parë
Linku u kopjua

Policia e Shqipërisë ka falënderuar KFOR-in, pasi pavarësisht shkallës së lartë të rrezikshmërisë për ta tërhequr oficerin e plagosur në helikopter, falë profesionalizmit të ekipit të helikopterit të KFOR-it dhe ndihmës së një grupi special të RENEA-s, u bë e mundur transportimi i oficerit të Policisë nga zona e rrezikshme ku kishte rënë, drejt Spitalit Ushtarak Tiranë.

Policia e Shtetit thotë se falë ndihmës së KFOR-it u mundësua transportimi me helikopter, drejt Spitalit Ushtarak Tiranë, i oficerit të Policisë, i cili, si pasojë e terrenit shumë të vështirë me një shkallë të lartë rrezikshmërie, në një zonë malore të fshatit Shosh, Dukagjin u rrëzua dhe ra në humnerë, një ditë më parë.

“Oficeri i Policisë u rrëzua gjatë kontrollit në terren së bashku me grupin e kontrollit, në kuadër të planit të masave për kontrollin e territorit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Me interesimin e drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, u bë e mundur që një helikopter i KFOR-it në Kosovë, të nisej me urgjencë nga Kosova në drejtim të Dukagjinit. Pavarësisht shkallës së lartë të rrezikshmërisë për ta tërhequr oficerin e plagosur, në helikopter, falë profesionalizmit të ekipit të helikopterit të KFOR-it dhe ndihmës së një grupi special të RENEA-s, u bë e mundur transportimi i oficerit të Policisë nga zona e rrezikshme ku kishte rënë, drejt Spitalit Ushtarak Tiranë. Oficeri i Policisë i është nënshtruar menjëherë një trajtimi të specializuar mjekësor. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar nga ekipi i Spitalit Ushtarak Tiranë, ofrimin e të gjitha shërbimeve të specializuara, dhe në rast nevoje transportimin e oficerit të Policisë për kurim, jashtë shtetit. Policia e Shtetit falënderon KFOR Kosovën për ndihmën e çmuar dhe gatishmërinë e shprehur duke dërguar menjëherë helikopterin, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i cili iu përgjigj gjithashtu menjëherë kërkesës për të vendosur në dispozicion të forcave të Policisë, një helikopter, por për shkak të terrenit mjaft të vështirë nuk mund të bëhej e mundur tërheqja e oficerit të plagosur nga vendi deri ku kishin mundur ta nxirrnin me krahë shërbimet e Policisë dhe të ekipit të urgjencës mjekësore”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit falënderon edhe aktorët e tjerë si Ambasada italiane në Tiranë dhe kolegët italianë që shprehën gatishmërinë, për të na ndihmuar për situatën e krijuar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025