Polici kosovar gjendet i vdekur brenda territorit të Shqipërisë, dyshohet për vetëvrasje
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Polici kosovar gjendet i vdekur brenda territorit të Shqipërisë, dyshohet për vetëvrasje
Një zyrtar i Policisë së Kosovës është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së martës në varrezat e fshatit Morinë, në territorin e Shqipërisë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur për KosovaPress se Policia e Kosovës është njoftuar nga autoritetet shqiptare rreth orës 08:25 për gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit me inicialet SH.H., 35 vjeç, banues në Prizren.
Pas pranimit të informatës, zyrtarët e Policisë kosovare kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë identifikimin e viktimës, ku është konfirmuar se bëhej fjalë për një zyrtar policor të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren.
“Sipas veprimeve paraprake hetimore të ndërmarra nga Policia e Republikës së Shqipërisë, dyshohet se 35-vjeçari ka kryer vetëvrasje me armë zjarri (pistoletë)”, deklaroi Bytyqi.
Ai shtoi se nga verifikimet e Policisë së Kosovës është konstatuar se arma e përdorur ishte arma zyrtare e viktimës, e cila është sekuestruar nga autoritetet kompetente në cilësinë e provës materiale.
Sipas Bytyqit, Policia e Kosovës është në kontakte dhe koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Republikës së Shqipërisë, me qëllim të ofrimit të ndihmës në sigurimin e provave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.