Votimi me postë jashtë Kosovës nis më 21 maj, gati pakot me fletëvotim për secilin votues
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Votimi me postë jashtë Kosovës nis më 21 maj, gati pakot me fletëvotim për secilin votues
KQZ1234
20/05/2026 - 18:02
Linku u kopjua

Në prag të fillimit të votimit me postë jashtë Kosovës, i cili do të nisë më 21 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur pakot individuale me fletëvotim për secilin votues të regjistruar që gjatë regjistrimit ka përzgjedhur këtë mënyrë votimi në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Deri më tani, shërbimi votues ka përgatitur 75,000 pako dhe rreth 30 mijë të tjera do të bëhen gati gjatë ditës së sotme e mërkurë, njoftoi zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Çdo pako është individuale dhe secila prej tyre përmban:

1.         Udhëzuesin për procedurën e votimit;

2.         fletëvotimin;

3.         zarfin e fshehtësisë; dhe 

4.         zarfin kthyes.

Këto pako, përmes operatorit ekonomik do të fillojnë të shpërndahen në shtete të ndryshme të botës.

Përmes shërbimeve postare, shpërndarja e pakove në adresat e votuesve do të fillojë gjatë ditës së enjte, 21 maj, dhe për votimin me postë jashtë vendit, planifikohet të shpërndahen rreth 105 mijë pako.

Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.

Votimi përmes postës do të fillojë më 21 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor.  KQZ u bën thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim, por ta bëjnë këtë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit.

Për të mundësuar një proces më të lehtë të votimit për qytetarët e regjistruar për votim me postë, ka vënë në funksion kuti postare në gjithsej 22 shtete, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali të Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare KQZ-së në Kosovë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026