Sonte, në kuadër të xhiros së pestë të Superligës së Kosovës, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillohet super derbi ndërmjet Prishtinës dhe kampionit në fuqi, Ballkanit.
Duke folur për këtë ballafaqim, trajneri dhe analisti Arsim Plepolli, ka thënë për KosovaPress se po na pret një luftë e pakompromis në fushë sepse të dy skuadrat do të synojnë të marrin tre pikë të plota nga ky ballafaqim.
Ai po ashtu bëri të ditur se kryesia e Prishtinës iu ka ofruar premio lojtarëve në rast të fitores ndaj Ballkanit.
“Sigurisht se po, nëse Prishtina e fiton këtë ndeshje atëherë motivi është ndryshe sepse sa kam dëgjuar edhe kryesia e klubit janë duke iu qëndruar afër futbollistëve dhe kjo është shumë pozitive, e dimë Prishtinën para një viti si ka qenë. Kjo do të thotë shumë, nëse edhe fitojnë, se kam dëgjuar që edhe premiot do t’i kenë bukur të mira. Kjo është shenjë që Prishtina po rikthehet.”, shtoi ai.
“Më shumë mua po më gëzon fakti që është bërë ky mobilizim dhe po kthehen shikuesit se sa ndeshja sepse Kosovës i ka munguar publika, Kosovës i kanë munguar shikuesit. Siç po shihet, sot do të jetë stadiumi i stërmbushur, kjo për mendimin tim është pozitive sepse lojtarët e meritojnë pa marrë parasysh cila ekipë është, e meritojnë të jenë stadiumet e stërmbushura, siç po i shohim nëpër Evropë duhet t’i përkrahim dhe mua më së shumti për momentin më gëzon kjo.”, tha Plepolli në fund.
Ndryshe, në stadiumin “Fadil Vokrri” sonte pritet të jenë të pranishëm rreth 11 mijë tifozë.