Trajneri dhe analisti i njohur, Arsim Plepolli vlerëson se rritja e cilësisë në futbollin e Kosovës ka vazhduar edhe gjatë vitit 2022 me hapa gjigant. Suksesi si ai i Ballkani por edhe i skuadrave të tjera, sipas tij, janë pasqyrë e qartë se futbolli vendor është në rrugën e duhur të zhvillimit.
Ai vlerëson se përveç rritjes së cilësisë, ajo tek e cila duhet të fokusohen klubet, është puna me talentët e rinj, pasi kjo sjellë përfitime të mëdha në shumë drejtime.
Sa i përket luftës për titullin kampionë në Superligë, Plepolli ka mendim të qartë. Sipas tij, vetëm Drita dhe Ballkani janë në këtë garë dhe se nuk sheh rivalë të tretë.
“Vetëm këto të dy mund t’i shoh për titull, duke e parë edhe kualitetin por edhe diferenca e pikëve, nuk është aq shumë e madhe, por duke marrë parasysh gjithmonë rrjedhat se si po shkojnë në ekipet tjera, tani fatkeqësisht duhet ta përmendim Gjilanin, kemi një Gjilan që ka qenë shembull për klubet e Superligës por po e shohim që një sponsor që është i fortë, kur po largohet nga një ekip, atëherë po demoralizohen ekipet dhe nuk po kanë qasje të gjejnë sponsorë të tjerë që mund t’i përmbushë kriteret e futbollistëve. Prandaj, unë nuk mund ta shoh ekipin e tretë që mund të luftojë për titull.”, theksoi Plepolli.
“Sa i përket Ministrisë së Sportit, duhet të bëjë shumë më shumë për sportin sepse nuk është justifikim të themi janë shtrenjtuar gjërat jo nuk kemi pasur. Qe 22 vite sa jemi ne, ku jemi deri tani. Ne i kapemi federatës se iu është bërë alibi federata. Federata i ka bërë mbi 12 stadiume që nuk e ka obligim...Po e shohim që e kemi problem edhe kombëtarja, një stadium të Prishtinës nuk e kemi, a nuk është mëkat për gjithë komunitetin sportiv që të paktën të mos i kemi dy apo tri stadiume në arenën ndërkombëtare t’i zhvillojmë...Ministria e Sportit duhet të bëjë diçka më shumë, e jo të merret me do imtësira e gjera të vogla. Ne duhet ta ngrisim futbollin, e jo të shohim vetëm keq...E kemi parë, jo duhet federata, duhet ta kuptojmë një gjë, nuk e ka obligim t’ua bëjë fushat klubeve, unë po habitem që i ka bërë 12 fusha për një kohë të shkurtër. Dorën në zemër presidentit të federatës, Agim Ademit, duhet hequr kapelën.”, ka shtuar Plepolli.
Duke folur për Kombëtaren e Kosovës, Plepolli thotë se kualifikimi në Kampionatin Evropian 2024, është objektivi që duhet arritur me çdo kusht, në të kundërtën, sipas tij, trajneri Alain Giresse duhet të shkarkohet.
Në fund, Plepolli foli edhe për të ardhmen e tij. Ai shpreh i hapur për ta drejtuar ndonjë prej skuadrave të Superligës së Kosovës, por ka një kusht.
“Kam pasur disa bisedime me vite të tëra. Unë e kam një princip timin si i ri dhe nuk dua të shkelë në ‘dërrasë të kalbur’. Dua ta kem stafin tim, një punë profesionale...Jam i hapur, për mua ndoshta mendojnë që jam i ri, nuk kam përvojën e duhur, por po iu them, mos paragjykoni sepse pa e parë një njeri se si punon. Unë mendoj që mund t’i jap futbollit shumë dhe për mua trajner i madh është jo kush e vizaton terrenin, por kush e ndjenë lojën, ai është trajner i madh.”, tha në fund Plepolli.