Plagosja në Pejë, i dyshuari ndalohet për 48 orë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Plagosja në Pejë, i dyshuari ndalohet për 48 orë
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se është ndaluar për 48 orë një person i dyshuar për rastin e të shtënave me armë zjarri që ndodhi mbrëm në Pejë, ku si pasojë mbeti i plagosur një person.
Sipas Prokurorisë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar i dyshuari me inicialet B.K., nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale "Vrasja në tentativë", në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria njofton se menjëherë pas marrjes së informatës për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokurori i Shtetit, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës dhe ekipet e forenzikës, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë siguruar prova materiale, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit pritet që brenda afatit ligjor t'i paraqesë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe sigurimin e provave për procedurën e mëtejshme penale.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.