Një pedagog në një shkollë mjekësore në Bangladesh është pezulluar, dy ditë pasi dyshohet se ka qëlluar dhe plagosur një student në një klasë.
Raihan Sharif u arrestua pas kësaj, por u pezullua vetëm të mërkurën pas një proteste të studentëve nga kolegji mjekësor ku ndodhi incidenti.
Mediat lokale raportojnë se Arafat Amin Tomal, një student 23-vjeçar në një kolegj mjekësor në Sirajganj, në veri-perëndim të Bangladeshit, debatoi me Sharif ndërsa po mbante një provim të hënën. Gjatë provimit, Sharif dyshohet se nxori një armë dhe ia drejtoi studentit, duke e qëlluar atë në gjurin e djathtë, thonë raportet.
Thuhet se plumbi goditi telefonin celular të Amin, në xhepin e pantallonave të tij, gjë që i shpëtoi atij lëndime të rrezikshme për jetën, sipas gazetës Bangladesh, Daily Star, duke cituar policinë.
Sharif më pas u arrestua dhe u dërgua në paraburgim. Në një deklaratë, policia tha se Sharif "qëlloi studentin me një pistoletë të paligjshme". Policia tha se sekuestroi armën e tij si dhe një pistoletë të dytë, 81 fishekë, katër karikatorë, dy thika dhe 10 kamë, të cilat thuhet se i gjetën në çantën e tij.
Sipas policisë, Sharif dyshohet se ishte i njohur për bartjen e armëve në shkollë, të cilat i ekspozonte gjatë ligjëratave.
Pezullimi i tij u shkaktua nga protesta e studentëve në fakultetin e mjekësisë, të cilët kërkuan shkarkimin e tij të menjëhershëm dhe dënimin e rëndë. Policia tha se ishte formuar një komision i posaçëm për të hetuar rrethanat e incidentit. Incidente të tilla janë të rralla në Bangladesh, ku zotërimi dhe përdorimi i armëve rregullohen rreptësisht nga qeveria. /BBC