24 karabinierë nga Italia, 20 zyrtarë të sigurisë publike nga Lituania dhe pesë xhandarë nga Xhandarmëria Nacionale e Francës që shërbejnë në Njësinë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it (NJPSR) u shpërblyen sot me medalje për shërbim në Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (PPSM).
Kjo medalje, e cila ndahet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, është mirënjohje konkrete dhe e përhershme për përkushtimin e fuqishëm të pjesëtarëve të stafit të Misionit EULEX dhe PPSM të BE-së.
“EULEX-i është i përkushtuar të mbështetë institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit. Njësia Policore e Specializuar Rezervë e EULEX-it, bashkë me Njësinë Policore të Specializuar të rregullt, kanë punuar ngushtë me KFOR-in në një mjedis të brishtë të sigurisë. Ajo ka monitoruar thuktë aktivitetet e Policisë së Kosovës në pajtueshmëri me mandatin e saj dhe ka siguruar popullatën me praninë e saj të dukshme në zonat më të ndjeshme, duke përfshirë gjatë dhe pas rastit të dhunshëm në Banjskë,” tha Barbano.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla falënderoi Italinë, Lituaninë dhe Francën, pasi që kontributi i tyre në NJPSR dëshmon angazhimin për mbështetjen e vendosmërisë së Kosovës për t’u bërë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Një fjalë rasti mbajti edhe drejtori menaxhues i Kapacitetit për Planifikime dhe Veprime Civile (CPCC), Stefano Tomat, i cili përgëzoi NJPSR-në për shërbimin e tyre të guximshëm dhe të paanshëm.
“Ju jeni duke e përçuar një porosi nga Bashkimi Evropian. Ju jeni duke përfaqësuar vlerat evropiane, pikë së pari vlerën e paqes,” tha ai duke shtuar se angazhimi i NJPSR-së është mënyrë për promovimin e elementeve më të vlefshme të thelbit të Bashkimit Evropian.
Para vijimit të ceremonisë për ndarjen e medaljeve, Tomat dhe Barbano morën pjesë në inaugurimin zyrtar të selisë së re të EULEX-it në zonën industriale në Prishtinë, në afërsi të Kompleksit të EULEX-it për operacione dhe mbështetje.