Nuk do të ketë mëshirë ndaj kafiterive që nuk respektojnë ligjin kundër duhan-pirjes. Kështu thotë kryeinspektori sanitar në Kosovë, Ibrahim Tërshnjaku, derisa tregon se vetëm gjatë muajit janar të këtij viti, janë shqiptuar rreth 360 gjoba për mos-respektimin e ligjit.
E derisa paralajmërohet se do të ketë gjoba edhe për cigaret elektrike që kanë nikotinë, përfaqësues të gastronomisë bëjnë apel të ruhet shëndeti publik dhe ekonomik. Këta të fundit ankohen se ka përzierje të kompetencave komunale dhe qendrore.
Sipas tij, nuk do të kenë fare mëshirë për kafe-barët që nuk po e zbatojnë ligjin për duhanin. Gjithashtu, Tërshnjaku tregoi se edhe cigaret elektronike që përmbajnë nikotinë, nuk do të lejohen më në hapësirat e mbyllura dhe për ato do të shqiptohen edhe gjoba.
Ndërsa, sekretari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Arian Vranica u shpreh se janë duke punuar në një zgjidhje për të implementuar ndryshimin e ligjit për kontrollin e duhanit, për të krijuar hapësira për duhan pirje që janë në bazë të legjislacionit evropian, mirëpo për atë konsumim kërkohet një tarifë shtesë.
Çmimi i gjobave ndaj thyerjes së ligjit për ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura starton nga 3000 euro deri në mbyllje të lokalit.