Pezullimi i fondeve mbështetëse, urdhri i Trump prek edhe SPAK-un e GJKKO-në
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
Pezullimi i fondeve mbështetëse, urdhri i Trump prek edhe SPAK-un e GJKKO-në
1 javë më parë
Linku u kopjua

Urdhri ekzekutiv i presidentit të SHBA-së Donald Trump për të pezulluar të gjitha fondet mbështetëse të qeverisë amerikane ka prekur edhe SPAK-un dhe GJKKO në Shqipëri.

Top Channel ka parë letrën që ambasada amerikane në Tiranë i ka dërguar qeverisë shqiptare përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i shpreh përshëndetjet e saj Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe dëshiron të informojë Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për qëllimin e Urdhrit Ekzekutiv të Qeverisë së SHBA-së për të pezulluar zbatimin, detyrimet e reja dhe shpërndarjen e fondeve në pritje të një rishikimi të të gjitha programeve të ndihmës së huaj”, thuhet në hyrje të letrës.

Në katër faqet e saj renditen të gjitha institucionet të cilat deri më tani përfitonin fonde nga qeveria amerikane dhe që pas fitores së urdhrit nga Trump, ato pezullohen.

Në faqen e tretë të letrës ku renditen institucionet e drejtësisë, fondet e të cilave janë pezulluar, përmendet edhe Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykata Speciale për Korrupsion dhe Krim të Organizuar (GJKKO).

Në listën e institucioneve që nuk do të marrin më fonde të taksapaguesve amerikanë deri në rishikimin e të gjitha programeve, janë edhe disa ministri, institucione të të gjitha niveleve të drejtësisë si dhe disa drejtori të rëndësishme si OSHEE, AKSHI, AKSK, SASPAC si dhe qeverisja vendore.

Pas këtij urdhri ajo që mbetet për t’u parë është fakti se si do të vijojë funksionimi i këtyre institucioneve të ngritura në zbatim të reformës në drejtësi, ku përveç buxhetit të akorduar nga shteti, ato merrnin edhe fonde nga qeveria amerikane.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025