Bashkimi Evropian mbështet vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e targave KM dhe regjistrimin e tyre me RKS.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se Brukseli ishte i informuar, por jo i konsultuar në fillim të kësaj jave për planet e Prishtinës zyrtare mbi targat dhe lirinë e lëvizjes.
“Marrëveshjet janë të qarta se në Kosovë përdoren vetëm targa të lëshuara nga Kosova”, tha Stano.
Ai shton se është e rëndësishme të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani, dhe se ai përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane.
Në emër të BE-së, Stano përsëriti thirrjen e tij ndaj të dyja palëve për të përdorur dialogun e udhëhequr nga BE-ja si një platformë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes dhe targat.
"BE pret që Kosova dhe Serbia të ushqejnë një mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre. Ky është çelësi për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, gjë që palët duhet të fokusohen tani,” tha Stano.