Agjencia e Kosovës për Anti-Doping (KosADA) ka publikuar vendimet disiplinore për sportistët e sanksionuar për shkelje të rregullave antidoping, ku në listë figurojnë katër basketbollistë dhe një futbollist. Sipas të dhënave të publikuara, të gjitha rastet lidhen me praninë e substancave të ndaluara në mostrat e sportistëve, në kundërshtim me nenin 2.1 të rregullave antidoping.
Rasti më i fundit është ai i basketbollistes Cloe Chapman, e cila është sanksionuar me tre muaj papërshtatshmëri, nga 9 qershori deri më 9 shtator 2026, pas konstatimit të pranisë së THC (tetrahydrocannabinol) dhe Carboxy THC.
Ndërkaq, basketbollistët Jason Jitoboh dhe Terrell Brown janë dënuar me nga tre muaj papërshtatshmëri, nga 15 maji deri më 14 gusht 2025, për praninë e THC dhe Carboxy THC. Po ashtu, basketbollisti Jordy Idikayi Tshimanga kishte qenë i pezulluar nga 6 marsi deri më 6 qershor 2024 për të njëjtën shkelje dhe substancë të ndaluar.
Sipas listës së publikuar nga KosADA, të gjitha rastet janë trajtuar në bazë të nenit 2.1 të Kodit Antidoping, që ka të bëjë me praninë e substancave të ndaluara në organizmin e sportistit.