Me rastin e festave të nëntorit, sot në sheshin "Shaban Jashari" në Petrovë të Shtimes u inaugurua monumenti i dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Xhemshir Xhemshiri, Fadil Rashiti dhe Kadri Ademaj.
Në këtë tubim morën pjesë krerë komunalë, familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë, qytetarë e veprimtarë të shumtë.
“Sot po nderohen Xhemshiri, Fadili, Kadriu si dhe breza e breza të luftëtarëve, burra dhe djem që kombi mburret me ta. Fshati Petrovë dhe gjithë kjo trevë krenohet me rrugën e vet për liri edhe me sakrificën e vet në shërbim të atdheut, në shërbim të kombit, në shërbim të shqiptarëve”, tha ai.
Aliu shtoi se pllaka përkujtimore kushtuar dëshmorëve është nder për secilin komb.
Duke përkujtuar se sot na bashkon festa e flamurit kombëtar, kryetari Aliu theksoi se gjithmonë veprat e mëdha lidhen me emrat e njerëzve që mbeten të përjetshëm në faqet e historisë për të përcjellë mesazhe te brezat e ardhshëm.
Ai tha se asnjëherë nuk duhet harruar sakrifica dhe përpjekja, deri në flijim, për të mirën e përgjithshme, të kombit, familjes dhe shoqërisë.
Nga vendlindja e dëshmorëve Xhemshir Xhemshiri, Fadil Rashiti, Kadri Ademaj dhe e shumë dëshmorëve të rënë në luftën për liri, kryetari Aliu theksoi se asnjëherë institucionet e Komunës së Shtimes nuk do të ndalen së nderuari deri në përkulje për veprën e tyre deri në sakrificë që të jetojmë të lirë në tokën autoktone shqiptare.
Një fjalë rasti në këtë tubim mbajti ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, ndërsa si protagonist i ngjarjes së rënies heroike të dëshmorit të lirisë, Xhemshir Xhemshiri një fjalim e ka mbajtur veterani i UÇK-së, Bislim Bislimaj.
Në emër të familjeve të dëshmorëve i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit, djali i dëshmorit Xhemshir Xhemshiri, Gazmend Xhemshiri, ndërsa në emër të Këshillit Organizativ të këtij manifestimi një fjalë rasti ka mbajtur, Ibush Rashiti duke falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për realizimin e këtij projekti madhështor.
Për ta madhështuar këtë manifestim, nxënësit e shkollës “Bajram Curri” të Petrovës kanë recituar poezi kushtuar dëshmorëve të kombit, ndërsa rapsodët popullorë Agim Elmazi dhe Elmi Agushi e kanë pasuruar këtë program kulturo-artistike duke iu kënduar luftëtarëve të lirisë Xhemshir Xhemshiri, Fadil Rashiti dhe Kadri Ademaj.