Përparim Rama viziton zjarrfikësit: Meritoni trajtim më të mirë
Lexohet për: 3 min.
rama-zjarrefiksat-040522
2 vite më parë
Linku u kopjua

Me rastin e Ditës Botërore të Zjarrfikësve, kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama ka vizituar sot Brigadën e Zjarrfikësve në kryeqytet, për t’u njohur nga afër me punën dhe problemet me të cilat ata përballen.

Ai me këtë rast ka thënë se zjarrfikësit e Kosovës meritojnë trajtimin e duhur institucional.

“Zjarrfikësit e meritojnë një trajtim shumë më të mirë. Kemi qenë edhe më herët në kontakt kur jemi takuar me komandantin. Tashmë kemi aktivizuar idenë për t’i hapur edhe pikat tjera, si në Hajvali dhe Bregun e Diellit, t’i rregullojnë edhe ato ekzistuese në Kodër të Trimave, po ashtu të bëjmë edhe në Arbëri që ta kemi një shërbim shumë efikas për qytetarët e Prishtinës. Këtë që shikuam, patet rastin ta shihni edhe ju krejt, është proces një “drill” për shpëtimin e jetëve, diçka që zjarrfikësit shpëtojnë jetën çdo ditë dhe për këtë arsyeje meritojnë që ata të kenë një trajtim edhe në nivelin e kryeqytetit. Do të bëjmë çdo gjë që zjarrfikëset të jenë përbrenda kryeqytetit dhe pjesë e administratës së kryeqytetit, në të mirën e qytetarëve të Prishtinës”, tha Rama.

Ndërsa komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve Latif Zeka, ka thënë se primare është zgjidhja e statusit të tyre.

“Së pari duhet të zgjidhet statusi ynë, duhen të pranohen zjarrfikëse të rinj, ka shumë vite që nuk janë pranuar asnjë zjarrfikës. Po bëhen 10 vjet që nuk po zgjidhet ky problem që mund të zgjidhet shumë lehtë. Unë shumë herë kam kërkuar se nëse nuk ka nevojë kjo shoqëri për zjarrfikëse të rinj, më mirë të shkojmë në shtëpi”, tha ai.

Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës me këtë rast ka zhvilluar edhe një aksion stimulues “Zjarr në katin e tretë”.

Ndryshe, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, me rastin e Ditës ndërkombëtare të zjarrfikjes dhe shpëtimit, ka kërkuar nga institucionet e vendit që të punojnë për tejkalimin e gjendjes së rënduar të zjarrfikësve, krijimin e kushteve normale të punës dhe ngritjen e kapaciteteve operative.

Në reagimin e saj, sindikata përkujton se kjo ditë i gjen zjarrfikësit në Kosovë në gjendje jo të mirë, me status të pazgjidhur dhe të pa definuar sa i përket kompetencave menaxhuese, numri i vogël i zjarrfikësve, mungesa e pajisjeve dhe mjeteve të punës, mungesa e sigurimeve shëndetësore.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025