Dhjetëra punëtorë të KEK-ut protestuan sot me kërkesën për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.
Me pankartat, “Trusti është i joni, jo i qeverisë”, “Unë të votova ty, ti voto Trustin”, protestuesit, kërkuan nga deputetët t’i japin dritë të gjelbër tërheqjes së Trustit.
“Prandaj kërkojmë kursimet tona, jo pse kemi dëshirë, por pasi nuk na dëgjojnë ne jemi të imponuar të kërkojmë kursimet tona për të jetuar në ditë të vështira. Ne e shohim papunësinë jashtëzakonisht të madhe në Kosovë, ikjen e qytetarëve nga ky vend, s’ka investime në këtë vend, por bëhen investime në vendet e ndryshme me paratë tona. Besa, kohëve të fundit i kemi diku 200 milionë euro humbje nga Trusti”, tha ai.
Pjesëmarrës në këtë protestë ishte edhe kryetari i Këshillit Drejtues të BSPK-së, Ali Gashi, i cili shprehu mbështetje për kërkesat e protestuesve.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, i cili ka iniciuar këtë projektligj, ftoi gjithë deputetët e tjerë të mbështesin këtë nismë.
“Kjo qeveri duhet të reflektojë për të aprovuar kërkesat e qytetarëve. Nuk ka qeveri me legjitimet qytetarë nëse është kundër kërkesave të qytetarëve. Kemi iniciuar Projektligjin për trustin me kërkesën tuaj për të përballur krizën ekonomike, pasi s’ka pas asnjë masë nga qeveria”, theksoi ai.