Më 30 janar 1926 u lind kompozitori dhe muzikanti shqiptar Tish Daija. Ai ishte autori i baletit të parë shqiptar, autor i qindra krijimeve muzikore me njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, pedagog e akademik, drejtues historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Krijimtaria e Tish Daisë është e madhe dhe e larmishme. Ai krijoi muzikë në të gjitha gjinitë muzikore si: opera, balete, simfoni, vepra instrumentale e vokale, poema, këngë popullore e të lehta, këngë për fëmijë, etj.
Nën drejtimin artistik të Tish Daisë për 18 vjet rresht, Ansambli lëvroi dhe zhvilloi traditën muzikore dhe të valleve të të gjitha trevave shqiptare duke u shndërruar në një pishtar të kulturës kombëtare dhe e shtriu aktivitetin e tij jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës, ku u nderua me çmime ndërkombëtare, përfshi këtu edhe Gjerdanin e Artë në Dizhon të Francës. Për gjithë veprimtarinë e tij të madhe e të suksesshme, ai u nderua me dekoratën e lartë “Nder i Kombit”. Ndërroi jetë më 3 tetor 2003./atsh