Përkujtohen viktimat në 25-vjetorin e masakrës së Podujevës
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua
Në përvjetorin e 25-të të masakrës së kryer në Podujevë nga njësiti serb “Skorpionët”, kryeministri Albin Kurti bëri sot homazhe te varrezat e të vrarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu. Sikurse ishin të bashkuara familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, kryeministri tha se njësoj të bashkuar jemi edhe ne sot në kujtim dhe në nderim të rënies së tyre për tokën e Kosovës dhe për lirinë e popullit. “Ata na e kujtojnë dhe përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe lirisë, që e gëzojmë sot, se si rrënjët e shtetit dhe të lirisë janë te gjaku i martirëve dhe dëshmorëve. Njëkohësisht, zëri ynë do të jetë gjithnjë më i fuqishëm si institucional ashtu edhe qytetar për kërkim të drejtësisë”, tha ai.
Në mesin e të mbijetuarve të kësaj masakre, kryeministri përmendi Saranda Bogujevcin, tashmë deputete dhe nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila bashkë me të mbijetuarit e tjerë i bënë ballë breshërive të plumbave dhe të cilët sot janë ndër dëshmitarët e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. “Në mesin e atyre që u masakruan këtu ishte edhe Saranda Bogujevci e cila iu mbijetoi 16 plumbave, pra para 25 viteve trupi i njomë i Saranda Bogujevcit, atëherë e mitur, përfundoi me 16 plumba dhe ata pesë që shpëtuan nga kjo masakër ishte një mrekulli e vërtetë dhe sot janë dëshmitarë të gjenocidit të Serbisë në Kosovë,”, tha ai.
Kurti vazhdoi duke i bërë thirrje edhe një herë Prokurorisë në Kosovë të punojnë në ndjekjen e kriminelëve dhe vënien e drejtësisë, e cila do të finalizohej me vënien prapa grilave të vrasësve mizorë të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu. Ngjashëm, u shpreh edhe Enver Duriqi, të cilit në këtë masakër iu vranë katër fëmijë të moshave 3, 5, 8 edhe 10-vjeç, bashkë me gruan dhe prindërit. “Është mbajtur një gjykim sa për sy e faqe dhe kisha me quajt se ata i kanë metodat e veta, injorojnë, nuk gjykojnë, nuk i pranojnë krimet, por si do që të jetë, ne do të qëndrojmë edhe më të fortë”, tha Duriqi.