Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini shprehet i bindur se në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje do të bie nga pushteti. Derisa kritikon qeverinë aktuale për udhëheqje të dobët, ai potencon se Komunës së Gjakovës i ka munguar përkrahja e nivelit qendror. Përveç kësaj, Gjini thekson se qeveria ka dështuar në realizmin e disa projekteve në disa komuna ku ata qeverisin, siç thotë ai për shkak të mosdijes.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini në një intervistë për KosovaPress, flet për kandidaturën e tij si deputet dhe projektet më të mëdha që janë realizuar gjatë vitit 2024 dhe ato që planifikohen të kryhen brenda vitit 2025.
Gjini për KosovaPress tregon se do të hyjë në garë për deputet për të mobilizuar masën, porse mandatin do ta dorëzojë. Ai thotë se do të rikandidojë për kryetar të Gjakovës, për çka shprehet i bindur se për të dyja pozitat do të marrë votat e mjaftueshme.
Ndër të tjera, Gjini thotë se Komuna e Gjakovës brenda vitit 2024 ka realizuar projektin më të madh në vlerë prej 8 milionë euro, atë të rrugës për daljen në Deçan dhe Pejë.Ai flet edhe për dy projekte më të mëdha që planifikohet të përfundohen brenda vitit 2025.
Krejt në fund, i pari i Gjakovës, Ardian Gjini thotë se zona ekonomike amerikane ka mundur të jetë një prej aseteve më të jashtëzakonshme të Kosovës, porse sipas tij, qeveria aktuale nuk po punon drejt zhvillimit të këtij projekti.