Ka përfunduar një takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, të martën vonë. Palët pritet të deklarohen për media rreth asaj çfarë u bisedua.
Paraprakisht, Lajçaku zhvilloi takime të ndara dypalëshe me Petkoviqin dhe Bislimin.
Më herët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.
Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua.
Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut - përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit - që Vuçiq nuk i pranoi.
Ai besohet se është i lirë në Serbi.
Pritjet që Bislimi dhe Petkoviq të dakordohen për ndonjë gjë, nuk janë të mëdha.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.