Përfundon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve shqiptarë në veri
Lexohet për: 4 min.
peticioni-170124
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Nënshkrimi i peticioneve, i cili do të hapte rrugën për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komuna në veri të Kosovës, tashmë ka përfunduar. Këtë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të grupeve, të cilat e kanë iniciuar këtë proces.

Darko Vuksanoviq, nga grupi për Zveçanin, ka konfirmuar për REL-in se gjatë ditës së parë (e premte, 19 janar) është mbledhur numër i mjaftueshëm i nënshkrimeve.

Në komunën e Zubin Potokut, ku nënshkrimi është kryer gjatë periudhës 19-22 janar, janë mbledhur mjaft nënshkrime, ka konfirmuar Sërgjan Vuçiniq, njëri nga iniciatorët.

Paraprakisht, edhe Sanja Kërtiniq, nga grupi iniciator në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se procesi i mbledhjes së nënshkrimeve ka përfunduar. Të shtunën, më 20 janar, janë mbledhur nënshkrime të mjaftueshme edhe në komunën e Leposaviqit.

Iniciatorët e nënshkrimit të peticioneve nuk kanë specifikuar se sa qytetarë kanë nënshkruar, duke thënë vetëm se janë mbledhur më shumë nënshkrime se minimumi i kërkuar.

Në komunën e Mitrovicës së Veriut, peticionin është dashur ta nënshkruajnë së paku 3.640 votues me të drejtë vote, në Leposaviq 2.689 votues, në Zveçan 1.411 votues dhe në Zubin Potok 1.347 votues, shifra që përbëjnë 20 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve në këto komuna.

Hapi i radhës tani është që peticionet e votuesve të regjistruar t’u dorëzohen kryetarëve të kuvendeve komunale.

Pas dorëzimit të peticionit me nënshkrime, kryetari i kuvendit ka tri ditë kohë për t’ia përcjellë atë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shqyrtim dhe verifikim.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe largoi përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës, duke nxitur edhe largimin e serbëve të tjerë.

Largimi nga institucionet u bë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndërrimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia në ato që lëshohen nga Kosova, por që atëherë kjo çështje është zgjidhur.

Por, në mesin e tetorit të vitit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.

Ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që “levat kryesore të pushtetit të jenë në duart e tyre”.

Kësaj thirrjeje i parapriu një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024